Ligjore · Privatësi
Politika e Privatësisë
MatchGo · Versioni 2.9
MatchGo · Politika e Privatësisë · Versioni 2.9 · Hyn në fuqi më: 23 tetor 2026
Kjo Politikë shpjegon cilat të dhëna personale mbledh MatchGo, pse i mbledh, sa kohë i ruan, me kë i ndan dhe cilat janë të drejtat tuaja. Ajo është hartuar sipas ligjit nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" (miratuar më 19.12.2024, shpallur me dekretin nr. 5, datë 15.1.2025), veçanërisht nenit 13 për të drejtën e informimit.
Kemi përpjekur ta shkruajmë në gjuhë të thjeshtë. Nëse diçka nuk është e qartë, na shkruani në info@matchgo.pro.
1. Kontrolluesi dhe si na kontaktoni
Kontrolluesi i të dhënave tuaja është Genti Beleraj PF, që vepron me emrin tregtar MatchGO, NUIS M62124021G, Tiranë.
Për çdo pyetje ose kërkesë për të dhënat tuaja, shkruani në info@matchgo.pro. Ky email është edhe pika jonë e kontaktit për mbrojtjen e të dhënave.
MatchGo nuk ka caktuar nëpunës të mbrojtjes së të dhënave, sepse veprimtaria jonë nuk përfshin rastet e detyrueshme të nenit 33 të ligjit (monitorim i rregullt dhe sistematik në shkallë të gjerë, ose të dhëna sensitive në shkallë të gjerë). Nëse kjo ndryshon, do ta publikojmë këtu.
Ju përgjigjemi sa më shpejt, dhe në çdo rast brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. Kur kërkesa është e ndërlikuar, afati mund të zgjatet deri në 60 ditë dhe ju njoftojmë brenda 30 ditëve për arsyen (neni 12). Kërkesat trajtohen falas.
2. Çfarë të dhënash mbledhim
Të dhënat që na jepni ju:
- a)llogaria: email, fjalëkalim (ruhet vetëm i enkriptuar dhe nuk e shohim kurrë), emër dhe mbiemër — të detyrueshme;
- b)mosha: data e lindjes — e detyrueshme;
- c)gjinia: Mashkull, Femër ose Tjetër — e detyrueshme; shfaqet te profili publik dhe nuk përdoret për asnjë kufizim, përzgjedhje apo vendim (të gjithë lojtarët rezervojnë fusha dhe luajnë në të gjitha ndeshjet bashkë);
- ç)leja e prindit (vetëm për 14–17 vjeç): emri, telefoni dhe email-i i prindit ose kujdestarit dhe data kur ai jep pëlqimin me email — të detyrueshme për të miturit;
- d)profili: telefoni dhe foto e profilit (opsionale), pozicioni në fushë (kërkohet për plotësimin e profilit);
- dh)organizatori: email kontakti që u shfaqet lojtarëve të ndeshjes — opsional;
- e)pronari i fushës: emri i kompleksit, NIPT, adresa, fotot dhe të dhënat e fushave — të detyrueshme për pronarët;
- ë)rezervimet: emri dhe telefoni i klientit, fusha, data, ora, mënyra e pagesës dhe çmimi në momentin e rezervimit;
- f)Gjej Ndeshje: pjesëmarrja në ndeshje, pagesa dhe mesazhet në chat-in e ndeshjes;
- g)Sfida e Javës dhe turnet: emri i ekipit dhe emrat e lojtarëve të ekipit; te Sfida e Javës edhe rezultatet e ndeshjeve (golat), kush e shkroi rezultatin (gjyqtari ose administratori), pikët në tabelë dhe MatchCoins e fituara nga ekipi;
- gj)Dyqani: emri, telefoni, adresa e dorëzimit dhe shënimi i porosisë;
- h)vlerësimet: yjet që u jepni lojtarëve dhe fushave — opsionale;
- i)Bëhu partner: emri, telefoni, emaili, të dhënat e fushës ose të përvojës dhe mesazhi.
Kërkimi i lojtarëve dhe mesazhet private. Kur përdorni mesazhet private, ruajmë përmbajtjen e çdo mesazhi që dërgoni, identitetin e bashkëbiseduesit, kohën e dërgimit dhe kohën kur e keni lexuar bisedën për herë të fundit. Ruajmë gjithashtu listën e përdoruesve që keni bllokuar dhe, kur raportoni një bisedë, arsyen e raportimit, shënimin që shtoni dhe një kopje të njëzet mesazheve të fundit të asaj bisede. Ruajmë, po ashtu, zgjedhjen tuaj për t'u shfaqur ose jo në kërkimin e lojtarëve dhe, për përdoruesit nën 16 vjeç, datën kur është konfirmuar autorizimi i prindit ose kujdestarit ligjor për njoftimet push. Emri që shkruani kur kërkoni një lojtar përdoret vetëm për të gjetur rezultatin dhe nuk ruhet.
Chat-i i ndihmës. Kur na drejtoheni përmes chat-it të ndihmës, ruajmë temën dhe problemin që zgjidhni, email-in që na jepni, përshkrimin e shkurtër nëse e shkruani, datën, si dhe faktin nëse jeni lojtar, pronar fushe apo vizitor pa llogari; kur jeni të kyçur, rasti lidhet me llogarinë tuaj. Nuk ju kërkojmë emër apo numër telefoni. Pyetjet dhe përgjigjet e chat-it janë tekste të paracaktuara: chat-i nuk përdor inteligjencë artificiale dhe nuk merr asnjë vendim automatik.
Të dhënat që krijohen gjatë përdorimit:
- a)statusi i rezervimeve, përfshirë shënimin "erdhi" ose "nuk erdhi" që vendos pronari i fushës;
- b)numëruesi i mosparaqitjeve: çdo rezervim i shënuar "nuk erdhi" (fusha, data dhe ora);
- c)anulimet e rezervimeve: cila orë u anulua dhe kur, që pronari i fushës të njoftohet;
- ç)anulimet e ndeshjeve nga organizatori: arsyeja që shkruan organizatori dhe koha e anulimit; e shohin lojtarët e ndeshjes dhe administratori, jo pronari i fushës;
- d)MatchCoins, niveli i lojtarit dhe bllokimet e llogarisë;
- dh)MatchCoins si shpërblim: historiku i MatchCoins që fitoni ose që ju hiqen nga rezervimet dhe ndeshjet (lloji, data e lojës dhe shuma);
- e)pikët e sjelljes: pikët që ju jep administratori pas një raportimi, kur skadojnë dhe bllokimet për sjellje që rrjedhin prej tyre;
- ë)bllokimet dhe heshtjet: lojtarët që keni bllokuar ose heshtur; për çdo bllokim ruhet edhe një regjistër (kush bllokoi kë dhe kur), që e sheh administratori;
- f)shënime të brendshme të administratorit për menaxhimin e llogarisë;
- g)prova e pranimit të Kushteve dhe të kësaj Politike (versioni dhe data);
- gj)zgjedhjet për njoftimet dhe data kur keni dhënë pëlqimin;
- h)data kur e keni ndryshuar vetë emrin e profilit për herë të fundit;
- i)të dhëna sigurie: një gjurmë e enkriptuar (hash) e pajisjes dhe e shfletuesit (lloji i shfletuesit, gjuha, platforma, zona kohore, madhësia e ekranit), që përdoret vetëm për të zbuluar llogaritë e dyfishta ose të rreme; nuk ruajmë vetë identifikuesin, por vetëm versionin e enkriptuar;
- j)app-i MatchGo në telefon (Android dhe iPhone): kur pranoni njoftimet, kodi i njoftimeve që Google ose Apple i jep pajisjes suaj dhe lloji i pajisjes (Android ose iPhone);
- k)regjistrat teknikë të hyrjeve (adresa IP, shfletuesi, koha), që i mban ofruesi ynë i infrastrukturës.
App-i në telefon. App-i MatchGo për Android dhe iPhone hap të njëjtën Platformë dhe mbledh të njëjtat të dhëna që përshkruhen këtu, pa të dhëna shtesë. Ai kërkon vetëm dy leje: njoftimet, vetëm nëse i pranoni, dhe kamerën ose fotot, vetëm në momentin kur zgjidhni vetë një foto profili ose fushe; app-i merr vetëm foton që zgjidhni. App-i nuk përdor vendndodhjen, kontaktet, mikrofonin, reklamat apo gjurmues të palëve të treta. Lejet mund t'i hiqni në çdo kohë te Cilësimet e telefonit → MatchGo.
Persona pa llogari. Kur një kapiten regjistron ekipin te Sfida e Javës ose te Turnet, mund të shkruajë emrat e lojtarëve që nuk kanë llogari në MatchGo. Kapiteni konfirmon se ka marrë lejen e tyre. Këta emra përdoren vetëm për organizimin e ndeshjes ose të turneut, dhe çdo person i tillë mund të na kërkojë heqjen e emrit të tij.
Çfarë nuk mbledhim. Nuk mbledhim të dhëna sensitive (shëndet, fe, origjinë etnike, mendime politike etj.). Nuk përdorim Google Analytics, Facebook Pixel, reklama apo gjurmues të palëve të treta. Nuk shesim të dhënat tuaja askujt.
3. Pse i përdorim dhe mbi çfarë baze ligjore
I përpunojmë të dhënat vetëm kur kemi një nga bazat ligjore të nenit 7 të ligjit.
Përmbushja e kontratës me ju (neni 7, pika 1, shkronja "b"):
- a)krijimi dhe menaxhimi i llogarisë;
- b)rezervimet, anulimi, Gjej Ndeshje, Sfida e Javës (përfshirë tabelën e renditjes dhe faqen e ekipit), turnet, Dyqani dhe MatchCoins;
- c)dërgimi i emrit dhe telefonit tuaj te pronari i fushës që keni rezervuar;
- ç)njoftimet për rezervimet, ndeshjet dhe veprimet në llogarinë tuaj;
- d)numërimi i mosparaqitjeve dhe masat sipas Kushteve të Përdorimit.
- dh)shpërblimet me MatchCoins, kujtesat 2 orë para rezervimit ose ndeshjes dhe heshtja e lojtarëve;
Pëlqimi juaj (neni 7, pika 1, shkronja "a", dhe neni 8):
- a)njoftimet push për Gjej Ndeshje, për ndeshjet ku jeni pjesëmarrës dhe MatchCoins që fitoni ("Ndeshjet e mia"), për mesazhet private ("Mesazhe"), për kujtesat 2 orë para ("Kujtesa"), për Beat the Team, për turnet dhe për Dyqanin;
- b)njoftimet për oferta dhe lajme (marketing), me pëlqim të veçantë;
- c)leja e prindit ose kujdestarit për të miturit 14–17 vjeç.
Interesi ynë i ligjshëm (neni 7, pika 1, shkronja "dh"):
- a)zbulimi i llogarive të dyfishta ose të rreme dhe mbrojtja nga mashtrimi;
- b)bllokimi i provave të shumta të hyrjes dhe mbrojtja nga robotët;
- c)njoftimi i administratorit kur shënohet një mosparaqitje dhe shqyrtimi i rastit;
- ç)njoftimi i administratorit kur një përdorues bllokon një tjetër dhe pikët e sjelljes pas shqyrtimit të raportimeve, për sigurinë e komunitetit;
- d)mbrojtja e të drejtave tona në rast mosmarrëveshjeje.
Kërkimin e lojtarëve, profilin publik dhe mesazhet private i ofrojmë si pjesë të shërbimit që keni pranuar me Kushtet e Përdorimit; prandaj përpunimi i të dhënave për këto funksione bazohet në përmbushjen e kontratës me ju (neni 7, pika 1, shkronja "b"). Mesazhet private i përpunojmë vetëm për t'ia dorëzuar bashkëbiseduesit tuaj; nuk i analizojmë, nuk i përdorim për qëllime reklamimi dhe stafi ynë nuk i lexon, përveç rasteve të kufizuara që përshkruhen në seksionin "Si i mbrojmë të dhënat".
Shfaqja në kërkimin e lojtarëve bazohet në interesin tonë të ligjshëm që lojtarët të mund ta gjejnë njëri-tjetrin për të organizuar ndeshje (neni 7, pika 1, shkronja "dh"). Për përdoruesit e rritur, kjo mundësi është e aktivizuar që në fillim. Për përdoruesit nën 18 vjeç, në zbatim të parimit të mbrojtjes së të dhënave në mënyrë të paracaktuar (neni 23, pika 2) dhe duke pasur parasysh që interesat e të miturit kanë përparësi (neni 7, pika 1, shkronja "dh"), kjo mundësi është e çaktivizuar që në fillim; i mituri mund ta aktivizojë vetë dhe, edhe në atë rast, gjendet vetëm nga përdorues të tjerë të mitur. Çdo përdorues ka të drejtë ta kundërshtojë këtë përpunim në çdo kohë dhe pa dhënë arsye (neni 19), duke çaktivizuar mundësinë "Shfaq profilin tim në kërkimin e lojtarëve" te Profili im → Privatësia; kundërshtimi ka efekt të menjëhershëm.
Bllokimin e përdoruesve, raportimin e bisedave, ruajtjen e kopjes së mesazheve në rast raportimi, kufizimin e numrit të mesazheve në minutë dhe ndarjen e të miturve nga të rriturit në kërkim dhe në mesazhe i zbatojmë mbi bazën e interesit tonë të ligjshëm për sigurinë e komunitetit dhe për mbrojtjen e veçantë që u takon të miturve (neni 7, pika 1, shkronja "dh"). Njoftimet push, përfshirë "Ndeshjet e mia" dhe "Mesazhe", ju dërgohen vetëm me pëlqimin tuaj (neni 7, pika 1, shkronja "a"); për përdoruesit nën 16 vjeç, pëlqimi jepet ose autorizohet nga prindi ose kujdestari ligjor (neni 8, pika 6), sipas mënyrës që përshkruhet në seksionin "Të miturit".
Të dhënat e chat-it të ndihmës i përpunojmë vetëm për t'iu përgjigjur kërkesës suaj. Për përdoruesit me llogari, ky përpunim është pjesë e përmbushjes së kontratës (neni 7, pika 1, shkronja "b"). Për vizitorët pa llogari, ai bazohet në hapat që ndërmerren me kërkesën e tyre përpara lidhjes së një kontrate ose, kur kërkesa nuk lidhet me një kontratë, në interesin tonë të ligjshëm për t'iu përgjigjur pyetjeve që na drejtohen (neni 7, pika 1, shkronjat "b" dhe "dh"). Kufizimi i numrit të kërkesave në ditë për të njëjtin email bazohet në interesin tonë të ligjshëm për mbrojtjen e shërbimit nga abuzimi.
Detyrimi ligjor (neni 7, pika 1, shkronja "c"): ruajtja e shumave financiare dhe e porosive sipas legjislacionit tatimor dhe kontabël, si dhe përgjigjja ndaj kërkesave të autoriteteve kur na detyron ligji.
Kur përpunimi bazohet në pëlqim, mund ta tërhiqni atë në çdo kohë, po aq lehtë sa e keni dhënë. Tërheqja nuk e bën të paligjshëm përpunimin e mëparshëm (neni 8, pika 3).
4. Vendimet automatike
Për të mbrojtur komunitetin nga llogaritë e dyfishta ose të rreme, sistemi ynë krahason automatikisht gjurmën e enkriptuar të pajisjes, numrin e telefonit dhe të dhëna të tjera sigurie. Kur gjen ngjashmëri, llogarit një "rezultat rreziku" dhe ia dërgon rastin administratorit.
Edhe mosparaqitjet numërohen automatikisht kur pronari shënon "nuk erdhi", por sistemi nuk bllokon asnjë llogari vetë: administratori njoftohet dhe vendos pas shqyrtimit.
Pikët e sjelljes. Pikën për fjalor të papërshtatshëm e jep gjithmonë administratori pasi lexon raportimin. Kur numri i pikëve aktive arrin 3, sistemi e bllokon llogarinë automatikisht sipas shkallës së parashikuar në Kushtet e Përdorimit (1 javë, 3 muaj, përgjithmonë). Ky bllokim është pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të administratorit për pikën e tretë, jo një vlerësim i sistemit; mund të kërkoni rishqyrtim si më poshtë. Edhe MatchCoins si shpërblim jepen automatikisht, por vetëm pasi një person (pronari, organizatori ose administratori) ka konfirmuar rezervimin ose pjesëmarrjen.
Asnjë llogari nuk bllokohet vetëm nga sistemi. Vendimin përfundimtar e merr gjithmonë një person nga ekipi i MatchGo. Keni të drejtë të kërkoni rishqyrtim nga një person, të shprehni këndvështrimin tuaj dhe ta kundërshtoni vendimin (neni 20), duke na shkruar në info@matchgo.pro.
5. Kush i sheh të dhënat tuaja
Brenda Platformës:
- a)ju shihni dhe ndryshoni të dhënat e profilit tuaj;
- b)pronari i fushës sheh emrin dhe telefonin tuaj vetëm për rezervimet te fushat e tij, si dhe statusin "erdhi / nuk erdhi"; ai nuk sheh numrin e mosparaqitjeve, bllokimet apo shënimet e administratorit;
- c)organizatori i një ndeshjeje dhe lojtarët e asaj ndeshjeje shohin emrat e njëri-tjetrit dhe mesazhet e chat-it të saj; lojtarët shohin telefonin dhe emailin e kontaktit të organizatorit;
- ç)përdoruesit e tjerë të kyçur mund të shohin profilin tuaj publik, i cili përmban emrin, foton, pozicionin, nivelin, gjininë, moshën në vite (vetëm nëse e ndizni vetë te Profili im → Privatësia → "Shfaq moshën te profili publik"; si fillim është e fikur), mesataren dhe numrin e vlerësimeve me yje, numrin e ndeshjeve të luajtura dhe vitin e regjistrimit; te vlerësimet shfaqet vetëm mesatarja, jo identiteti i atij që i ka dhënë. Profili publik nuk shfaq në asnjë rast emailin, numrin e telefonit apo datën e lindjes. Kur një i rritur hap profilin e një të mituri, ose të një përdoruesi që nuk ka dhënë datën e lindjes, i shfaqen vetëm emri, inicialet dhe pozicioni;
- d)Sfida e Javës: tabela e renditjes (emrat e ekipeve, ndeshjet, fitoret, barazimet, humbjet, golat, pikët dhe forma) është publike, edhe për vizitorët pa llogari, sepse nuk përmban të dhëna personale; faqja e një ekipi, që e shohin vetëm përdoruesit e kyçur, tregon kapitenin, lojtarët e ekipit që kanë llogari MatchGo (emri, foto dhe numri i ndeshjeve me ekipin), ndeshjet me rezultatet dhe MatchCoins e fituara; kur një i rritur shikon një të mitur, i shfaqen vetëm inicialet, pa foto; lojtarët pa llogari nuk shfaqen me emër, vetëm si numër; Turnet: emrat e ekipeve dhe të kapitenëve janë të dukshëm për përdoruesit e kyçur dhe listat e plota të lojtarëve i shohin vetëm administratori, kapiteni dhe vetë lojtari;
- dh)administratori i MatchGo ka akses në të dhënat e nevojshme për menaxhimin e Platformës, përfshirë telefonat, porositë, mosparaqitjet, rastet e sigurisë dhe të dhënat e prindit për të miturit; kur shënohet një mosparaqitje, ai merr njoftim me emrin tuaj, fushën, datën dhe numrin e mosparaqitjeve aktive.
Kërkimi i lojtarëve. Një përdorues i kyçur mund t'ju gjejë në kërkim vetëm nëse shkruan saktë emrin dhe mbiemrin tuaj të plotë. Sistemi nuk dallon shkronjat e mëdha nga të voglat dhe i barazon shkronjat "ë" me "e" dhe "ç" me "c"; çdo ndryshim tjetër nuk jep rezultat. Rezultati përmban vetëm foton, emrin, pozicionin dhe nivelin. Nuk shfaqeni në kërkim nëse e keni çaktivizuar këtë mundësi, nëse llogaria juaj është fshirë ose bllokuar, ose nëse nuk keni dhënë datën e lindjes. Për përdoruesit nën 18 vjeç, kjo mundësi është e çaktivizuar si parazgjedhje. Të miturit mund të gjejnë vetëm të mitur dhe të rriturit vetëm të rritur.
Mesazhet private. Një bisedë private është e dukshme vetëm për dy pjesëmarrësit e saj. Bashkëbiseduesi sheh emrin tuaj, mesazhet që i dërgoni dhe foton e profilit, e cila shfaqet vetëm kur të dy i përkisni të njëjtit grup moshe. Bashkëbiseduesi nuk sheh në asnjë rast emailin apo numrin tuaj të telefonit. Përdoruesi që bllokoni nuk njoftohet për bllokimin.
Raportimet. Kur raportoni një bisedë private, administratori i MatchGo sheh emrin tuaj, emrin e përdoruesit të raportuar, arsyen e raportimit, shënimin tuaj dhe kopjen e njëzet mesazheve të fundit të asaj bisede. Kur raportoni një lojtar nga chat-i i një ndeshjeje, kopja përmban vetëm mesazhet tuaja dhe të tij në atë chat (deri në njëzet). Administratori nuk ka akses në bisedat e tjera private, as në pjesën e mbetur të bisedës së raportuar.
Bllokimet dhe pikët e sjelljes. Kur bllokoni një lojtar, administratori sheh emrin tuaj, emrin e lojtarit të bllokuar dhe kohën, por jo mesazhet tuaja; lojtari i bllokuar nuk njoftohet. Pikët tuaja të sjelljes i shihni vetëm ju (te Profili im) dhe administratori. Heshtjet i shihni vetëm ju.
Chat-i i ndihmës. Rastet e dërguara përmes chat-it të ndihmës i sheh vetëm administratori i MatchGo, i cili ju përgjigjet me email nga adresa info@matchgo.pro. Kjo adresë mbështetet në shërbimin e email-it të Hostinger (Hostinger Email), që ofrohet nga HOSTINGER, UAB (Vilnius, Lituani), i cili përpunon korrespondencën si ofrues shërbimi. Njoftimi që administratori merr në telefon përmban vetëm temën dhe problemin, jo email-in tuaj.
Vizitorët që nuk janë të kyçur nuk shohin asnjë të dhënë personale. Stafi ynë është i detyruar të ruajë konfidencialitetin (neni 30).
Ofruesit e shërbimeve (përpunuesit), që i përpunojnë të dhënat vetëm sipas udhëzimeve tona (neni 26):
- a)Supabase (databaza, llogaritë, skedarët): serverë në Bashkimin Evropian (Paris, Francë);
- b)Cloudflare (rrjeti mbrojtës i Supabase): mbrojtje dhe shpejtësi e lidhjes, rrjet global;
- c)Cloudflare Turnstile (kontrolli kundër robotëve): kur kërkohet verifikim, merr adresën IP dhe të dhëna teknike të shfletuesit, për të dalluar njerëzit nga programet automatike;
- ç)Hostinger Email (kutia e email-it info@matchgo.pro): dërgon të gjitha email-et e Platformës nga adresa info@matchgo.pro (konfirmimin e llogarisë, rivendosjen e fjalëkalimit, email-et e pëlqimit te prindi ose kujdestari dhe njoftimet e chat-it të ndihmës; për pëlqimin e prindit merr email-in e prindit, emrin e fëmijës dhe përmbajtjen e email-it) dhe ruan korrespondencën me ju, domethënë email-et që na dërgoni dhe përgjigjet tona; ofrohet nga HOSTINGER, UAB, shoqëri e regjistruar në Lituani (kodi 302710386, Švitrigailos g. 34, Vilnius). Sipas politikës së privatësisë së Hostinger, të dhënat mund të ruhen dhe përpunohen në Lituani, Holandë, Qipro ose Mbretërinë e Bashkuar dhe, kur është e nevojshme për shërbimin, edhe jashtë BE-së, me klauzolat standarde kontraktuale të miratuara nga Komisioni Evropian;
- d)shërbimet e njoftimeve push, vetëm nëse i keni pranuar njoftimet. Në shfletues: shërbimet e shfletuesve (Google, Apple, Mozilla, Microsoft), të cilave përmbajtja u përcillet e enkriptuar, prandaj marrin vetëm adresën teknike të pajisjes, kohën dhe madhësinë e mesazhit. Në app-in MatchGo: Google Firebase Cloud Messaging (Google) për Android dhe Apple Push Notification service (Apple) për iPhone, të cilat marrin kodin e njoftimeve të pajisjes dhe tekstin e njoftimit (titullin dhe një rresht të shkurtër), vetëm për t'ia dorëzuar telefonit tuaj. Njoftimi për një mesazh privat tregon vetëm emrin e dërguesit, pa përmbajtjen e mesazhit, ndërsa njoftimi për chat-in e një ndeshjeje tregon emrin e dërguesit dhe fillimin e mesazhit dhe mund të jetë i dukshëm në ekranin e kyçur të pajisjes suaj.
Google Maps merr të dhëna vetëm kur klikoni vetë lidhjen "Shiko në Maps"; atëherë zbatohen kushtet e privatësisë së Google.
Autoriteteve publike, si policia, prokuroria ose gjykata, u japim të dhëna personale, përfshirë përmbajtjen e mesazheve private, vetëm kur na detyron ligji ose me vendim të autoritetit kompetent, dhe vetëm në masën që kërkohet. Në këto raste, baza ligjore është përmbushja e një detyrimi ligjor (neni 7, pika 1, shkronja "c"). Para se t'i përgjigjemi, verifikojmë që kërkesa ka bazë ligjore dhe është bërë nga autoriteti kompetent.
6. Transferimi jashtë Shqipërisë
Të dhënat kryesore ruhen në serverë brenda Bashkimit Evropian. Me Vendimin nr. 1, datë 30.4.2025, Komisioneri ka njohur shtetet e BE-së si shtete me nivel të mjaftueshëm mbrojtjeje, ndaj ky transferim bëhet sipas nenit 40 të ligjit.
Transferime jashtë BE-së mund të ndodhin vetëm te shërbimet e njoftimeve push (përfshirë Google Firebase dhe Apple për app-in), te rrjeti i Cloudflare (përfshirë Turnstile), te Hostinger (email-et e Platformës dhe korrespondenca me email, kur përpunohen jashtë BE-së). Në këto raste zbatojmë garancitë e nenit 41 të ligjit (klauzola kontraktuale të mbrojtjes së të dhënave). Mund të kërkoni informacion për këto garanci në info@matchgo.pro.
7. Sa kohë i ruajmë
Nuk i ruajmë të dhënat më gjatë se duhet. Shumë nga këto afate zbatohen automatikisht nga sistemi çdo natë.
Afatet:
- a)profili dhe llogaria: sa kohë llogaria është aktive; pas fshirjes, të dhënat personale hiqen menjëherë;
- b)emri dhe telefoni te rezervimet: anonimizohen automatikisht 2 vjet pas datës së rezervimit;
- c)mesazhet e chat-it të ndeshjeve: fshihen automatikisht 12 muaj pas datës së ndeshjes;
- ç)mesazhet private: biseda, bashkë me të gjitha mesazhet e saj, fshihet automatikisht 12 muaj pas mesazhit të fundit; biseda e hapur pa asnjë mesazh fshihet pas 7 ditësh; me fshirjen e llogarisë suaj, të gjitha bisedat tuaja fshihen menjëherë për të dyja palët;
- d)bllokimet: derisa ta zhbllokoni përdoruesin ose derisa njëri prej jush ta fshijë llogarinë;
- dh)heshtjet: derisa ta hiqni heshtjen ose derisa njëri prej jush ta fshijë llogarinë;
- e)regjistri i bllokimeve që sheh administratori: fshihet automatikisht 12 muaj pas bllokimit;
- ë)pikët e sjelljes dhe bllokimet për sjellje: pika është aktive 6 muaj; pikët dhe bllokimet për sjellje fshihen automatikisht 12 muaj pas krijimit (një bllokim i përhershëm mbetet në llogari);
- f)historiku i MatchCoins si shpërblim: për aq kohë sa llogaria është aktive; fshihet bashkë me llogarinë;
- g)raportimet e bisedave: ruhen deri në shqyrtimin e tyre nga administratori dhe fshihen automatikisht 12 muaj pas zgjidhjes; kopja e njëzet mesazheve që përmban raportimi ruhet gjatë kësaj periudhe edhe nëse vetë biseda fshihet më herët, pasi shërben si provë për sigurinë e komunitetit;
- gj)zgjedhja për shfaqjen në kërkim: për aq kohë sa llogaria është aktive;
- h)rastet e chat-it të ndihmës: ruhen deri në zgjidhjen e tyre dhe fshihen automatikisht 12 muaj pas zgjidhjes; nëse fshini llogarinë, rasti nuk lidhet më me të, por ruhet deri në fshirjen automatike;
- i)autorizimi i prindit për njoftimet (përdoruesit nën 16 vjeç): data kur prindi e konfirmoi me email ruhet si provë për aq kohë sa llogaria është aktive dhe fshihet bashkë me llogarinë;
- j)email-i i prindit dhe pëlqimi me email: ruhen për aq kohë sa llogaria e të miturit është aktive dhe fshihen bashkë me të; llogaria e një të mituri pa pëlqim fshihet automatikisht pas 30 ditësh, ose menjëherë kur prindi refuzon;
- k)mosparaqitjet: fshihen automatikisht 6 muaj pas datës së rezervimit;
- l)regjistri i anulimeve të rezervimeve: fshihet automatikisht pas 6 muajsh;
- ll)gjurmët e enkriptuara të pajisjeve: fshihen automatikisht 12 muaj pas përdorimit të fundit;
- m)telefoni i një llogarie të bllokuar që është fshirë: ruhet vetëm i enkriptuar, deri në mbarimin e bllokimit;
- n)regjistri i njoftimeve të dërguara: fshihet automatikisht pas 6 muajsh; ai nuk përmban tekstin e mesazheve private apo të chat-it të ndeshjeve, por vetëm një përshkrim të përgjithshëm të njoftimit;
- nj)kërkesat "Bëhu partner" të refuzuara: fshihen automatikisht 12 muaj pas refuzimit;
- 21)porositë e Dyqanit dhe shumat financiare: sa kërkon legjislacioni tatimor dhe kontabël; pas fshirjes së llogarisë, porositë mbeten pa emër dhe pa telefon;
- 22)regjistrat teknikë të hyrjeve: për një periudhë të shkurtër, sipas politikës së Supabase;
- 23)kodi i njoftimeve të app-it: derisa të hiqni lejen, të fshini llogarinë ose Google/Apple ta bëjnë të pavlefshëm (p.sh. kur çinstaloni app-in); kodet e pavlefshme fshihen automatikisht;
- 24)tabela e Sfidës së Javës: rezultatet e ndeshjeve ruhen për aq kohë sa ekziston ekipi; tabela rifillon nga zero çdo 12 muaj dhe tabelat e sezoneve të mbyllura ruhen si arkiv vetëm me emrat e ekipeve dhe numrat; kur fshini llogarinë, emri juaj hiqet nga listat e ekipit dhe nuk shfaqet më te faqja e ekipit;
- 25)fotot e profilit: deri sa t'i ndërroni ose të fshini llogarinë; fotoja e vjetër fshihet sapo ngarkoni një të re.
Rastet e sigurisë (llogari të dyshuara, përfshirë dyshimet për llogari të dyfishta): ruhen deri në mbylljen e rastit dhe fshihen automatikisht 12 muaj pas mbylljes.
8. Të drejtat tuaja
Sipas neneve 13–20 të ligjit, ju keni të drejtë:
- a)të informoheni për mënyrën si përpunohen të dhënat tuaja (neni 13, kjo Politikë);
- b)të keni akses dhe të merrni një kopje të të dhënave tuaja (neni 14);
- c)t'i korrigjoni ato (neni 15): shumicën i ndryshoni vetë te Profili im, për të tjerat na shkruani;
- ç)t'i fshini (nenet 15 dhe 16): llogarinë mund ta fshini vetë te Profili im → "Fshi llogarinë" (udhëzimet janë edhe te matchgo.pro/fshi-llogarine), pasi të mbyllni rezervimet e ardhshme dhe porositë e papërfunduara; pronarët e fushave duhet të na kontaktojnë, që të mos prishet historiku i rezervimeve të klientëve;
- d)të kufizoni përpunimin në rastet e parashikuara nga ligji (neni 17);
- dh)të merrni të dhënat në format elektronik dhe t'ia jepni një shërbimi tjetër (neni 18);
- e)të kundërshtoni përpunimin që bazohet në interesin tonë të ligjshëm, dhe në çdo kohë marketingun e drejtpërdrejtë (nenet 19 dhe 46);
- ë)të mos i nënshtroheni vendimeve vetëm automatike (neni 20, pika 4 e kësaj Politike);
- f)ta tërhiqni pëlqimin në çdo kohë (neni 8); njoftimet i ndizni dhe i fikni kurdo te Profili im → Njoftimet ose te cilësimet e shfletuesit.
Disa nga këto të drejta mund t'i ushtroni drejtpërdrejt në Platformë. Për t'u hequr nga kërkimi i lojtarëve, mjafton të çaktivizoni mundësinë "Shfaq profilin tim në kërkimin e lojtarëve" te Profili im → Privatësia; kjo ka efekt të menjëhershëm dhe nuk e heq emrin tuaj nga ndeshjet ku jeni pjesëmarrës. Për të mos marrë më mesazhe nga një përdorues, mund ta bllokoni atë nga menyja ⋮ brenda bisedës; bllokimin mund ta hiqni aty ose nga profili i tij. Njoftimet "Ndeshjet e mia" dhe "Mesazhe" mund t'i çaktivizoni te Profili im → Njoftimet. Për të marrë një kopje të mesazheve tuaja private, na shkruani në info@matchgo.pro; kopja përmban mesazhet që keni dërguar dhe marrë, pa të dhëna të tjera të bashkëbiseduesit.
Kërkesat i dërgoni në info@matchgo.pro. Për sigurinë tuaj, mund t'ju kërkojmë të vërtetoni identitetin para se të përmbushim kërkesën.
Nëse mendoni se të drejtat tuaja janë shkelur, mund të paraqisni ankesë te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (neni 86): Rr. "Abdi Toptani", Nd. 5, Kodi postar 1001, Tiranë · Numri i gjelbër 0800 2050 · www.idp.al.
Keni gjithashtu të drejtë t'i drejtoheni gjykatës dhe të kërkoni dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar nga një përpunim i paligjshëm (neni 88).
9. Të miturit
MatchGo mund të përdoret nga personat 14 vjeç e lart. Nuk lejojmë regjistrimin e personave nën 14 vjeç.
Ligji kërkon pëlqimin e prindit për përpunimin mbi bazën e pëlqimit të të miturve nën 16 vjeç në shërbimet online (neni 8, pika 6). MatchGo zbaton një rregull më të rreptë: për të gjithë përdoruesit 14–17 vjeç, regjistrimi kërkon pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor, i cili e jep me email. Gjatë regjistrimit, i mituri jep emrin, telefonin dhe email-in e prindit ose kujdestarit; ne i dërgojmë prindit një email me një lidhje personale (e vlefshme 7 ditë), ku ai lexon Kushtet dhe këtë Politikë dhe zgjedh "Jap pëlqimin" ose "Nuk jap pëlqimin". Derisa prindi të japë pëlqimin, llogaria mbetet në pritje: i mituri nuk mund të rezervojë, të bashkohet në ndeshje, të shkruajë mesazhe ose të aktivizojë njoftimet. Nëse prindi refuzon, ose nuk përgjigjet brenda 30 ditësh, llogaria fshihet automatikisht. Ruajmë datën e pëlqimit si provë (neni 8, pika 1).
Për mbrojtjen e të miturve, MatchGo i mban të ndarë përdoruesit nën 18 vjeç nga të rriturit në kërkimin e lojtarëve dhe në mesazhet private. Mosha llogaritet nga data e lindjes, sipas datës kalendarike në Tiranë. Një i mitur dhe një i rritur nuk mund t'i dërgojnë mesazhe private njëri-tjetrit, në asnjërin drejtim, dhe nuk e gjejnë njëri-tjetrin në kërkim; kur një i rritur hap profilin e një të mituri, i shfaqen vetëm emri, inicialet dhe pozicioni. Kur një përdorues mbush 18 vjeç, bisedat e tij me të miturit mbyllen automatikisht. Përdoruesit që nuk kanë dhënë datën e lindjes nuk mund të kërkojnë lojtarë, nuk shfaqen në kërkim dhe nuk mund të dërgojnë apo të marrin mesazhe private. Komunikimi me organizatorin e një ndeshjeje bëhet vetëm në chat-in e asaj ndeshjeje, i cili është i dukshëm për të gjithë pjesëmarrësit.
Për përdoruesit nën 18 vjeç, mundësia "Shfaq profilin tim në kërkimin e lojtarëve" është e çaktivizuar si parazgjedhje, në përputhje me nenin 23, pika 2, të ligjit. I mituri mund ta aktivizojë vetë te Profili im → Privatësia; edhe në atë rast, ai mund të gjendet vetëm nga përdorues të tjerë të mitur. Kur përdoruesi mbush 18 vjeç, zgjedhja e tij mbetet e pandryshuar derisa ta ndryshojë vetë.
Njoftimet push dërgohen vetëm me pëlqim. Sipas nenit 8, pika 6, të ligjit, pëlqimi i një përdoruesi nën 16 vjeç për shërbimet që i ofrohen drejtpërdrejt në internet është i vlefshëm vetëm kur jepet ose autorizohet nga prindi ose kujdestari i tij ligjor. Prandaj, kur një përdorues nën 16 vjeç dëshiron të aktivizojë njoftimet, Platforma i dërgon prindit ose kujdestarit ligjor një email me një lidhje personale, ku ai lexon këtë informacion dhe zgjedh "Autorizoj njoftimet" ose "Nuk autorizoj"; pa këtë autorizim, sistemi nuk lejon aktivizimin e asnjë kategorie njoftimesh. Ruajmë datën e konfirmimit si provë të autorizimit (neni 8, pika 1). Prindi ose kujdestari mund ta tërheqë autorizimin në çdo kohë, duke i çaktivizuar njoftimet në llogarinë e fëmijës ose duke na shkruar në info@matchgo.pro, dhe në atë rast i çaktivizojmë menjëherë. Përdoruesit nga 16 deri në 17 vjeç e japin vetë pëlqimin për njoftimet.
Prindi ose kujdestari mund të na kontaktojë në çdo kohë për akses, korrigjim ose fshirje të të dhënave të fëmijës, ose për të tërhequr pëlqimin.
Nëse mësojmë se një person nën 14 vjeç ka krijuar llogari, ose se një i mitur është regjistruar pa pëlqimin e prindit, e fshijmë llogarinë.
10. Çfarë ruhet në shfletuesin ose në telefonin tuaj
MatchGo përdor vetëm ruajtje thelbësore dhe funksionale. Nuk përdorim cookies reklamash apo analitike, prandaj nuk ju shfaqim banner cookies.
Në shfletues ruhen:
- a)cookie e sesionit të hyrjes, për t'ju mbajtur të kyçur, deri në dalje ose skadim;
- b)zgjedhja "Më kujto", deri sa ta fshini;
- c)gjuha e zgjedhur (shqip ose anglisht), deri sa ta fshini;
- ç)shënimi që keni mbyllur njoftimin për përditësimin e Kushteve dhe të Politikës, që të mos ju shfaqet përsëri, deri sa të fshini të dhënat e shfletuesit;
- d)numri i provave të gabuara të hyrjes, për mbrojtje nga sulmet ndaj fjalëkalimit, deri në hyrjen e suksesshme;
- dh)një identifikues rastësor i pajisjes, për sigurinë (serverit i dërgohet vetëm i enkriptuar), deri sa të fshini të dhënat e shfletuesit;
- e)shenja e sesionit të hapur, për funksionimin e "Më kujto", deri sa të mbyllni shfletuesin;
- ë)service worker dhe cache e app-it, që app-i të hapet shpejt dhe të marrë njoftime, deri sa ta çinstaloni;
- f)abonimi për njoftime push, vetëm nëse i keni pranuar, deri sa të hiqni lejen;
- g)në app-in MatchGo: kodi i njoftimeve (vetëm nëse i keni pranuar) dhe lidhja me të cilën u hap app-i për herë të fundit, deri sa ta çinstaloni app-in.
Mund t'i fshini këto në çdo kohë nga cilësimet e shfletuesit ose, në app, duke e çinstaluar app-in. Në atë rast mund t'ju duhet të kyçeni përsëri.
11. Marketingu
Njoftimet për oferta dhe lajme ju dërgohen vetëm me pëlqimin tuaj të veçantë, sipas nenit 46 të ligjit dhe Udhëzimit nr. 4, datë 30.4.2025, të Komisionerit për marketingun e drejtpërdrejtë.
Pëlqimin e tërhiqni kurdo te Profili im → Njoftimet. Nuk ua japim të dhënat tuaja të tjerëve për marketing.
12. Si i mbrojmë të dhënat
Zbatojmë masa teknike dhe organizative sipas nenit 28 të ligjit, ndër të cilat:
- a)enkriptim i lidhjes (HTTPS);
- b)fjalëkalime të ruajtura vetëm të enkriptuara;
- c)rregulla aksesi në databazë që lejojnë secilin të shohë vetëm atë që i takon;
- ç)veprime të ndjeshme që kryhen vetëm nga serveri pas kontrollit të lejeve;
- d)mbrojtje nga provat e shumta të hyrjes dhe nga robotët;
- dh)kontrolle të rregullta sigurie.
Mesazhet private ruhen në databazën tonë brenda Bashkimit Evropian, dhe rregullat e aksesit lejojnë që ato t'i lexojnë vetëm dy pjesëmarrësit e bisedës. Asnjë përdorues nuk mund të shkruajë drejtpërdrejt në databazë: dërgimi i mesazheve, bllokimi dhe raportimi kryhen vetëm përmes funksioneve të serverit, të cilat verifikojnë moshën, bllokimet dhe gjendjen e llogarisë dhe e kufizojnë dërgimin në njëzet mesazhe në minutë për të parandaluar spam-in. Stafi i MatchGo nuk i lexon bisedat private. Bëjnë përjashtim vetëm kopja e njëzet mesazheve që na përcillni vetë kur raportoni një bisedë, si dhe rastet kur ligji ose një vendim i autoritetit kompetent na detyron t'i vëmë të dhënat në dispozicion të një autoriteti publik, sipas seksionit "Kush i sheh të dhënat tuaja".
Asnjë sistem nuk është 100% i sigurt. Nëse ndodh një cenim i të dhënave që paraqet rrezik për të drejtat tuaja, njoftojmë Komisionerin brenda 72 orëve nga marrja dijeni dhe, kur rreziku është i lartë, ju njoftojmë edhe juve (neni 29).
13. Ndryshimet e kësaj Politike
Mund ta përditësojmë këtë Politikë kur ndryshojnë shërbimet tona ose ligji. Për ndryshime të rëndësishme ju njoftojmë në Platformë dhe, kur kërkohet, ju kërkojmë ta pranoni përsëri. Versioni dhe data e hyrjes në fuqi shfaqen gjithmonë në krye.
14. Gjuha
Kjo Politikë është hartuar në gjuhën shqipe. Versioni anglisht jepet vetëm për informim; në rast mospërputhjeje, mbizotëron versioni shqip.
Match