← Kthehu te Home

Ligjore · MatchGo

Kushtet e Përdorimit

MatchGo · Versioni 2.9

MatchGo · Kushtet e Përdorimit · Versioni 2.9 · Hyn në fuqi më: 23 tetor 2026

Këto Kushte rregullojnë përdorimin e faqes dhe të aplikacionit MatchGo. Duke krijuar llogari ose duke përdorur shërbimet tona, ju pranoni këto Kushte dhe Politikën e Privatësisë. Nëse nuk jeni dakord, ju lutemi mos e përdorni platformën.

1. Kush jemi dhe kontakti

1.1

Platforma MatchGo operohet nga Genti Beleraj PF, që vepron me emrin tregtar MatchGO, NUIS M62124021G, Tiranë (më poshtë "MatchGo" ose "ne").

1.2

Për çdo pyetje, kërkesë ose ankesë na shkruani në info@matchgo.pro.

1.4

Këto Kushte zbatohen së bashku me Politikën e Privatësisë, që shpjegon si përpunohen të dhënat tuaja personale.

2. Përkufizime

2.1

Në këto Kushte:

  1. a)Platforma është faqja në internet matchgo.pro dhe aplikacioni MatchGo për Android dhe iPhone;
  2. b)Përdorues është çdo person që ka krijuar llogari;
  3. c)Klient është përdoruesi që rezervon një fushë ose merr pjesë në një ndeshje;
  4. ç)Organizator është klienti të cilit MatchGo i ka dhënë lejen të krijojë ndeshje te Gjej Ndeshje, si dhe organizatori i Sfidës së Javës ose i një turneu;
  5. d)Pronar fushe është partneri që publikon fushat e tij në Platformë, pas marrëveshjes me MatchGo;
  6. dh)Rezervim është e drejta për të përdorur një fushë për një orë të plotë, në datën dhe orën e zgjedhur;
  7. e)Mosparaqitje është rezervimi për të cilin pronari i fushës ka shënuar "nuk erdhi";
  8. ë)Profil publik është faqja e një lojtari që shohin përdoruesit e tjerë të kyçur, e cila përmban të dhënat e lojës dhe nuk përmban të dhëna kontakti;
  9. f)Mesazh privat është komunikimi me shkrim midis dy lojtarëve brenda Platformës, i dukshëm vetëm për ta;
  10. g)MatchCoins janë pikë besnikërie brenda Platformës, pa vlerë monetare.

3. Çfarë ofron MatchGo

3.1

Përmes Platformës mund të:

  1. a)rezervoni orë në fushat e futbollit (Rezervo Fushën);
  2. b)bashkoheni në ndeshje të krijuara nga organizatorët (Gjej Ndeshje);
  3. c)sfidoni ekipe të tjera çdo javë (Beat the Team / Sfida e Javës);
  4. ç)merrni pjesë në turne (Turne);
  5. d)gjeni lojtarë të tjerë, shihni profilin e tyre publik dhe u shkruani mesazhe private (Kërkimi i lojtarëve dhe Mesazhet);
  6. dh)blini produkte (Dyqani) dhe fitoni MatchCoins.
3.2

MatchGo vepron si ndërmjetës. Fushat sportive janë në pronësi dhe menaxhim të pronarëve të tyre, të cilët përgjigjen për gjendjen, sigurinë, pastërtinë dhe funksionimin e fushës dhe të ambienteve.

3.3

App-i në telefon. Aplikacioni MatchGo shkarkohet falas nga Google Play dhe App Store dhe ofron të njëjtat shërbime si faqja. Për shkarkimin zbatohen edhe kushtet e këtyre dyqaneve. Google dhe Apple nuk janë palë e këtyre Kushteve dhe nuk përgjigjen për Platformën, për përmbajtjen e saj apo për mbështetjen e përdoruesve; për çdo pyetje na shkruani në info@matchgo.pro.

4. Llogaria

4.1

Për të krijuar llogari duhet të jeni të paktën 14 vjeç.

4.2

Nëse jeni 14–17 vjeç, regjistrimi kërkon pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor, që jepet me email. Derisa prindi të japë pëlqimin, llogaria mbetet në pritje; nëse prindi refuzon ose nuk përgjigjet brenda 30 ditësh, llogaria fshihet. Prindi ose kujdestari pranon këto Kushte në emër të të miturit dhe mban përgjegjësi për rezervimet, pagesat dhe porositë e tij.

4.3

Çdo person mund të ketë vetëm një llogari. Ndalohen llogaritë e dyfishta, të rreme ose të krijuara në emër të dikujt tjetër.

4.4

Të dhënat që jepni (emri, data e lindjes, gjinia, telefoni) duhet të jenë të vërteta dhe të përditësuara. Gjinia nuk kufizon asgjë: të gjithë lojtarët, vajza dhe djem, rezervojnë fusha dhe luajnë në të gjitha ndeshjet bashkë. Emrin e profilit mund ta ndryshoni vetë një herë në 30 ditë.

4.5

Për sigurinë e komunitetit përdorim kontrolle të automatizuara për të zbuluar llogaritë e dyfishta ose personat që hapin llogari të re për t'i shpëtuar një bllokimi. Vendimin përfundimtar për çdo rast e merr gjithmonë një person nga ekipi ynë.

4.6

Ju jeni përgjegjës për ruajtjen e fjalëkalimit dhe për çdo veprim nga llogaria juaj. Nëse dyshoni se dikush e ka përdorur llogarinë tuaj pa leje, na njoftoni menjëherë.

4.7

Nëse një llogari nuk i plotëson këto kushte, kemi të drejtë ta pezullojmë ose ta mbyllim.

5. Si lidhet kontrata dhe si bëhet rezervimi

5.1

Rezervimi te Rezervo Fushën bëhet me këto hapa:

  1. a)zgjidhni fushën, datën dhe orën e lirë;
  2. b)shikoni çmimin përfundimtar dhe mënyrën e pagesës;
  3. c)konfirmoni te dritarja "Jeni i sigurt të procedoni?";
  4. ç)Platforma shfaq menjëherë konfirmimin dhe rezervimi del te Profili im → Rezervimet e mia; pronari i fushës njoftohet.
5.2

Kontrata lidhet në momentin që Platforma shfaq konfirmimin e rezervimit. Deri në atë moment mund të ktheheni pas dhe të ndryshoni fushën, datën ose orën. Pas konfirmimit, rezervimi anulohet vetëm sipas pikës 7.

5.3

Rezervimi vlen për një orë të plotë, duke filluar nga ora e zgjedhur. Ora në të cilën mbyllet fusha nuk mund të rezervohet. Të gjitha oraret janë sipas orës së Tiranës.

5.4

Kontrata lidhet në gjuhën shqipe. Rezervimet tuaja ruhen në llogari, ndërsa këto Kushte janë gjithmonë të disponueshme te faqja "Kushtet e Përdorimit", ku mund t'i ruani ose t'i printoni.

6. Çmimet dhe pagesa

6.1

Çmimi shfaqet në lekë para konfirmimit dhe është çmimi përfundimtar, me të gjitha taksat dhe tarifat e shërbimit të përfshira.

6.2

Te Rezervo Fushën, çmimi që shihni përfshin çmimin e pronarit dhe tarifën e shërbimit të MatchGo.

6.3

Aktualisht pagesa bëhet cash në fushë, drejtpërdrejt te pronari. Kur të aktivizohet pagesa me kartë online, kushtet e saj do të shfaqen para pagesës.

6.4

Te Gjej Ndeshje, çmimi për lojtar përbëhet nga pjesa e çmimit të fushës, tarifa e shërbimit të MatchGo dhe tarifa e organizatorit, dhe i paguhet organizatorit.

6.5

Te Sfida e Javës, çmimi përbëhet nga çmimi i fushës, tarifa e MatchGo dhe tarifa e gjyqtarit. Ai ndahet 50/50 ndërmjet dy ekipeve dhe i paguhet organizatorit. Shuma për secilin ekip shfaqet para se sfida të konfirmohet.

6.6

MatchCoins nuk mund të përdoren për të paguar rezervimet e fushave.

7. Anulimi, mosparaqitja dhe bllokimi i llogarisë

7.1

Anulimi. Rezervimin e fushës te Rezervo Fushën mund ta anuloni vetë te Profili im → Rezervimet e mia, deri 12 orë para orës së rezervimit, pa asnjë ndëshkim. Ora e anuluar lirohet për të tjerët dhe pronari njoftohet.

7.2

Kur mbeten më pak se 12 orë, butoni i anulimit nuk shfaqet më dhe rezervimi nuk mund të anulohet nga Platforma.

7.3

Vendet te Gjej Ndeshje, Sfida e Javës dhe turnet nuk anulohen me këtë buton; për to kontaktoni organizatorin ose MatchGo.

7.4

Mosparaqitja. Nëse nuk paraqiteni pa e anuluar rezervimin, pronari i fushës e shënon rezervimin "nuk erdhi". Shënimi "erdhi" ose "nuk erdhi" është përfundimtar. MatchGo njoftohet menjëherë dhe mosparaqitja regjistrohet në llogarinë tuaj.

7.5

Çdo mosparaqitje mbetet aktive 6 muaj nga data e rezervimit. Pas kësaj fshihet automatikisht dhe nuk numërohet më.

7.6

Sipas numrit të mosparaqitjeve aktive zbatohen këto masa:

  1. a)mosparaqitja e 1-rë: llogaria bllokohet 1 javë;
  2. b)mosparaqitja e 2-të: llogaria bllokohet 3 muaj dhe merrni paralajmërimin e fundit;
  3. c)mosparaqitja e 3-të: llogaria bllokohet përgjithmonë.
7.7

Bllokimin e vendos gjithmonë një person nga ekipi i MatchGo, pasi shqyrton rastin; sistemi nuk e bllokon llogarinë vetë. Bllokimi i përhershëm nuk skadon, edhe kur mosparaqitjet e mëparshme fshihen.

7.8

Gjatë bllokimit, për çfarëdo arsyeje (mosparaqitje, pikë sjelljeje ose siguri), nuk mund të rezervoni fusha, të krijoni ose të bashkoheni në ndeshje, të krijoni ose të pranoni sfida, të regjistroni ekipe në turne, as të shkruani mesazhe private ose në chat-in e ndeshjeve.

7.9

Nëse mendoni se mosparaqitja është shënuar gabim, na shkruani në info@matchgo.pro dhe rasti rishqyrtohet nga një person.

7.10

Pronari i fushës nuk mund të anulojë rezervimin tuaj pa pëlqimin tuaj. Nëse fusha nuk mund të përdoret për arsye të pronarit (moti, defekt, mbyllje), na njoftoni dhe do t'ju ndihmojmë.

8. E drejta e tërheqjes

8.1

Rezervimi i një fushe, vendi në një ndeshje dhe pjesëmarrja në sfida ose turne janë shërbime të kohës së lirë për një datë dhe orë të caktuar. Sipas nenit 37/8, shkronja "h", të ligjit nr. 9902, datë 17.4.2008, "Për mbrojtjen e konsumatorëve", i ndryshuar, për to nuk zbatohet e drejta e tërheqjes brenda 14 ditëve. Anulimi rregullohet nga pika 7.

8.2

Për produktet e Dyqanit, si konsumator, keni të drejtë të tërhiqeni nga blerja brenda 14 ditëve kalendarike nga dita kur merrni produktin, pa dhënë arsye (neni 37/1 i të njëjtit ligj). Për ta ushtruar, na shkruani në info@matchgo.pro.

8.3

Produkti kthehet i papërdorur, në paketimin origjinal, brenda 14 ditëve nga njoftimi i tërheqjes. Ne ju kthejmë shumën e paguar brenda 14 ditëve nga marrja e njoftimit. Kostoja e drejtpërdrejtë e kthimit të produktit është e juaja, përveç kur është thënë ndryshe.

8.4

Produktet e personalizuara (p.sh. me emër ose numër të porositur) nuk mund të kthehen, përveç kur kanë defekt (neni 37/8, shkronja "c").

9. Gjej Ndeshje

9.1

Organizatori rezervon fushën dhe hap ndeshjen për lojtarë të tjerë. Numri i lojtarëve varet nga lloji i fushës (p.sh. 7×7 = 14 lojtarë).

9.2

Duke rezervuar vendin, pranoni të paguani çmimin për lojtar dhe të paraqiteni në orën e caktuar.

9.3

Organizatori përgjigjet për organizimin e ndeshjes në vend. Telefoni dhe emaili i tij i kontaktit u shfaqen lojtarëve të ndeshjes.

9.4

Anulimi nga organizatori. Organizatori mund ta anulojë ndeshjen e vet nga faqja e ndeshjes vetëm kur plotësohen të dyja kushtet:

  1. a)mbeten të paktën 3 orë deri në fillim të ndeshjes (sipas orës së Tiranës);
  2. b)janë regjistruar më pak se gjysma e vendeve (p.sh. te 7×7, jo më shumë se 6 lojtarë nga 14).
9.5

Organizatori duhet të shkruajë arsyen e anulimit. Me anulimin, ora te fusha lirohet menjëherë dhe pronari i fushës njoftohet; çdo lojtar i regjistruar merr njoftim me arsyen (pavarësisht zgjedhjeve të njoftimeve, nëse i ka pranuar njoftimet push) dhe e sheh atë te faqja e ndeshjes; MatchGo njoftohet. Ndeshja e anuluar nuk pranon më lojtarë, chat-i i saj mbyllet, nuk dërgohet kujtesa 2 orë para dhe nuk jepen MatchCoins për të. Meqë pagesa bëhet cash në fushë, lojtarët nuk kanë paguar asgjë për ndeshjen e anuluar. Pas këtyre kufijve (më pak se 3 orë, ose gjysma e vendeve ose më shumë të zëna), ndeshja anulohet vetëm duke kontaktuar MatchGo. MatchGo i sheh anulimet dhe mund të marrë masa ndaj organizatorëve që anulojnë shpesh.

9.6

Chat-i i ndeshjes është i dukshëm vetëm për organizatorin dhe lojtarët e asaj ndeshjeje. Mesazhet fshihen automatikisht 12 muaj pas ndeshjes.

10. Beat the Team / Sfida e Javës

10.1

Kapiteni i ekipit dërgon sfidën sipas ciklit javor. Sfida publikohet vetëm pasi e miraton MatchGo.

10.2

Për të krijuar sfidë, kapiteni duhet të ketë luajtur mbi 10 lojëra dhe llogaria e tij nuk duhet të jetë e bllokuar.

10.3

Ekipet e tjera mund të aplikojnë. MatchGo i çifton ekipet, rezervon fushën dhe cakton gjyqtarin.

10.4

Pas ndeshjes, rezultatin (p.sh. 5–3) e shkruan gjyqtari i caktuar ose administratori; fituesi del vetë nga golat dhe golat e njëjtë janë barazim. Nëse një ekip nuk paraqitet, ekipi tjetër fiton 3–0. Administratori mund ta korrigjojë rezultatin brenda 48 orëve nga ruajtja e parë; pas këtij afati rezultati është përfundimtar, përveç rasteve të gabimit të dukshëm. Fitorja jep 500 MatchCoins dhe barazimi 250 MatchCoins për secilin ekip, që i kalojnë kapitenit; kur rezultati korrigjohet, MatchCoins rregullohen vetë.

10.5

Ekipi dhe emri i tij. Çdo kapiten ka një ekip. Emrin e zgjedh kapiteni herën e parë që krijon ose pranon një sfidë dhe ai mbetet i njëjtë për sfidat e tjera. Emri duhet të jetë unik: nuk pranohet një emër që i përket një ekipi tjetër, edhe kur ndryshon vetëm nga shkronjat e mëdha ose të vogla, "ë"/"e", "ç"/"c" ose hapësirat. Emri nuk duhet të jetë fyes ose mashtrues. Emrin e ndryshon vetëm administratori, me kërkesë, dhe ai mund ta kalojë ekipin te një lojtar tjetër i ekipit kur kapiteni largohet. Pikët dhe historiku i takojnë ekipit, jo emrit.

10.6

Tabela e renditjes. Fitorja jep 3 pikë, barazimi 1 dhe humbja 0. Renditja bëhet sipas pikëve, pastaj diferencës së golave dhe pastaj golave të shënuar. Sezoni zgjat 12 muaj nga dita e parë e tabelës; pas tij tabela rifillon nga zero dhe tabela e sezonit të mbyllur ruhet si arkiv. Tabela është publike; faqja e çdo ekipi, me kapitenin, lojtarët me llogari MatchGo, ndeshjet dhe MatchCoins, është e dukshme për përdoruesit e kyçur, sipas Politikës së Privatësisë.

10.7

Kapiteni konfirmon se ka marrë lejen e lojtarëve për të përdorur emrat e tyre në listën e ekipit.

11. Turnet

11.1

Regjistrimi i ekipit bëhet nga kapiteni, me emrin e ekipit dhe listën e lojtarëve. Kapiteni konfirmon se ka marrë lejen e lojtarëve.

11.2

Tarifa e pjesëmarrjes paguhet në MatchCoins, sipas shumës së shfaqur te çdo turne. Coins-at zbriten vetëm pasi MatchGo e miraton regjistrimin. Nëse regjistrimi refuzohet, arsyeja i shkruhet kapitenit dhe coins-at nuk zbriten.

11.3

Çmimet e turneve janë në lekë dhe paguhen jashtë Platformës, nga organizatori ose sponsori i turneut, sipas kushteve të shpallura për atë turne.

11.4

Rregullat e çdo turneu (formati, orari, fusha) publikohen në faqen e tij dhe janë pjesë e këtyre Kushteve.

12. MatchCoins

12.1

MatchCoins janë pikë besnikërie, jo para. Nuk kanë vlerë monetare, nuk këmbehen me para dhe nuk u transferohen përdoruesve të tjerë.

12.2

Fitohen nga aktivitetet në Platformë (p.sh. rezervimet, pjesëmarrja te Gjej Ndeshje ose fitorja te Sfida e Javës) ose jepen nga MatchGo si shpërblim, dhe përdoren për tarifat e turneve dhe në Dyqan, sipas rastit.

12.3

Shpërblimet për aktivitet. Lojtarët marrin automatikisht:

  1. a)+20 MatchCoins për një rezervim fushe te Rezervo Fushën, kur pronari i fushës e shënon "erdhi". Jepet vetëm një shpërblim i tillë për çdo ditë loje (data e rezervimit, sipas orës së Tiranës), edhe kur keni disa rezervime atë ditë. Rezervimet për Gjej Ndeshje, Sfidën e Javës, turnet dhe rezervimet me telefon ose abonim nuk e marrin këtë shpërblim;
  2. b)+10 MatchCoins për pjesëmarrjen në një ndeshje te Gjej Ndeshje, vetëm kur organizatori ju shënon "erdhi", ose kur administratori vendos se keni ardhur pas një kundërshtimi. Nëse organizatori nuk e shënon pjesëmarrjen, nuk jepen MatchCoins.
12.4

Shpërblimet jepen nga sistemi vetëm pasi rezervimi ose pjesëmarrja të jetë konfirmuar, që askush të mos përfitojë duke rezervuar dhe anuluar. Nëse konfirmimi ndryshon më pas (p.sh. "erdhi" bëhet "nuk erdhi"), MatchCoins e atij shpërblimi hiqen, deri në shumën që keni në llogari. Shpërblimet vlejnë vetëm për llogaritë e lojtarëve (jo për pronarët, administratorët dhe llogaritë e provës). Historikun e shpërblimeve e shihni te Profili im.

12.5

Bonusi i mirëseardhjes: për një kohë të kufizuar, lojtarët e parë që plotësojnë dhe verifikojnë llogarinë marrin automatikisht MatchCoins falas, sipas radhës së plotësimit dhe në shuma që zvogëlohen me kalimin e kohës, derisa oferta të mbarojë. Bonusi jepet vetëm një herë për person dhe vetëm për llogaritë e lojtarëve (jo për pronarët, administratorët dhe llogaritë e provës); për të miturit, pasi prindi ose kujdestari jep pëlqimin. Llogaritë e fshira nuk e lirojnë vendin. Nëse llogaria rezulton e rreme ose e dyfishtë, bonusi hiqet. Bonusi s'ka vlerë monetare dhe nuk këmbehet me para.

12.6

MatchGo mund t'i heqë MatchCoins e fituara me mashtrim, me llogari të dyfishta ose në kundërshtim me këto Kushte. Kur fshihet llogaria, MatchCoins humbasin.

13. Dyqani

13.1

Çmimet shfaqen në lekë dhe përfshijnë taksat. Kostoja e dorëzimit, nëse ka, shfaqet para konfirmimit të porosisë.

13.2

Për dorëzimin na duhen emri, telefoni dhe adresa juaj.

13.3

Nëse produkti ka defekt ose nuk përputhet me përshkrimin, keni të drejtë për riparim, zëvendësim, ulje çmimi ose kthim parash, sipas ligjit.

14. Kërkimi i lojtarëve, profili publik dhe mesazhet private

14.1

Përdoruesit e kyçur mund të kërkojnë lojtarë të tjerë vetëm me emrin dhe mbiemrin e plotë e të saktë të tyre. Rezultati të çon te profili publik i lojtarit, i cili përmban vetëm të dhëna që lidhen me lojën, si emrin, foton, pozicionin, nivelin, gjininë, moshën (vetëm nëse e ndizni vetë), vlerësimet me yje dhe numrin e ndeshjeve, dhe në asnjë rast emailin apo numrin e telefonit.

14.2

Lojtarët e rritur janë të dukshëm në kërkim si parazgjedhje. Për lojtarët nën 18 vjeç, kjo mundësi është e çaktivizuar si parazgjedhje dhe mund ta aktivizojnë vetë; edhe atëherë, ata i gjejnë vetëm lojtarë të tjerë nën 18 vjeç. Çdo lojtar mund ta ndryshojë këtë zgjedhje në çdo kohë te Profili im → Privatësia, pa asnjë pasojë për përdorimin e shërbimeve të tjera.

14.3

Mesazhet private janë të rezervuara vetëm për lojtarët. Një bisedë e re mund të nisë vetëm nga butoni "Dërgo mesazh" në profilin publik të lojtarit. Për të përdorur kërkimin dhe mesazhet private duhet të keni dhënë datën e lindjes. Një i mitur dhe një i rritur nuk mund t'i dërgojnë mesazhe private njëri-tjetrit, në asnjërin drejtim. Çdo mesazh mund të ketë deri në 1.000 shenja, dhe çdo përdorues mund të dërgojë deri në njëzet mesazhe në minutë.

14.4

Ju mund të bllokoni çdo lojtar nga menyja ⋮ brenda një bisede private ose pranë mesazhit të tij në chat-in e një ndeshjeje. Pas bllokimit, asnjëra palë nuk mund t'i shkruajë tjetrës privatisht, dhe mesazhet e përdoruesit të bllokuar në chat-in e ndeshjeve nuk ju shfaqen më (vetëm juve; të tjerët i shohin si më parë). Përdoruesi i bllokuar nuk njoftohet. Administratori i MatchGo njoftohet për çdo bllokim (kush bllokoi kë dhe kur, pa mesazhet), që të dallojë në kohë sjelljet problematike. Bllokimin mund ta hiqni në çdo kohë, nga menyja e bisedës ose nga profili i lojtarit.

14.5

Heshtja. Nga e njëjta menyja ⋮ mund ta heshtni një lojtar: mesazhet e tij vazhdojnë të shfaqen, por nuk merrni më njoftime push prej tij, as për mesazhet private, as për chat-in e ndeshjeve. Heshtjen mund ta hiqni në çdo kohë; personi i heshtur nuk njoftohet.

14.6

Nëse një bisedë private ose një mesazh në chat-in e një ndeshjeje cenon këto Kushte, mund ta raportoni nga menyja ⋮ → Raporto. Me raportimin, administratorit të MatchGo i përcillen njëzet mesazhet e fundit të bisedës (për chat-in e ndeshjes, vetëm mesazhet tuaja dhe të përdoruesit të raportuar), në mënyrë që ai ta shqyrtojë rastin dhe, kur është e nevojshme, të marrë masat e parashikuara në seksionin "Pezullimi dhe mbyllja e llogarisë", përfshirë pikët e sjelljes. Raportimet e rreme ose ato të bëra me qëllim për të dëmtuar një përdorues tjetër përbëjnë shkelje të këtyre Kushteve.

14.7

Bisedat fshihen automatikisht 12 muaj pas mesazhit të fundit, si dhe menjëherë kur njëri nga pjesëmarrësit fshin llogarinë. Fshirja vlen për të dyja palët; prandaj, nëse dëshironi të ruani përmbajtjen e një bisede, duhet ta ruani vetë para fshirjes.

14.8

MatchGo nuk është palë në komunikimin midis përdoruesve dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e mesazheve që ata shkëmbejnë. Megjithatë, MatchGo vepron sapo një bisedë i raportohet, sipas këtyre Kushteve. MatchGo u vë në dispozicion autoriteteve publike të dhëna, përfshirë mesazhet private, vetëm kur e detyron ligji ose me vendim të autoritetit kompetent. Përpunimi i të dhënave personale në këto funksione shpjegohet në Politikën e Privatësisë.

15. Njoftimet

15.1

Njoftimet për rezervimet dhe veprimet në llogarinë tuaj janë pjesë e shërbimit.

15.2

Njoftimet push ju dërgohen vetëm nëse i pranoni, dhe mund t'i çaktivizoni në çdo kohë te Profili im → Njoftimet, për secilën kategori veç e veç. Kategoritë janë: ndeshjet e reja te Gjej Ndeshje; "Ndeshjet e mia", kur dikush bashkohet ose shkruan në chat-in e një ndeshjeje ku jeni pjesëmarrës, si dhe kur fitoni MatchCoins nga një rezervim ose ndeshje; "Mesazhe", kur një lojtar ju dërgon mesazh privat; "Kujtesa", 2 orë para rezervimit të fushës ose ndeshjes te Gjej Ndeshje; sfidat, turnet dhe Dyqani; si dhe ofertat dhe lajmet. Njoftimet për pikët e sjelljes dhe për bllokimin e llogarisë ju dërgohen pavarësisht kategorive, nëse i keni pranuar njoftimet push. Për të shmangur shqetësimin, për chat-in e një ndeshjeje dhe për një bisedë private merrni jo më shumë se një njoftim çdo 10 minuta, dhe asnjë njoftim nga lojtarët që keni bllokuar ose heshtur. Njoftimi për një mesazh privat nuk e shfaq përmbajtjen e mesazhit. Në app-in MatchGo, njoftimet dërgohen përmes shërbimeve të Google (Android) dhe Apple (iPhone), dhe lejen mund ta hiqni edhe te Cilësimet e telefonit → MatchGo → Njoftimet. Për lojtarët nën 16 vjeç, njoftimet mund të aktivizohen vetëm me autorizimin e prindit ose kujdestarit ligjor, siç shpjegohet në Politikën e Privatësisë.

16. Rregullat e sjelljes

16.1

Duke përdorur MatchGo, ju pranoni që nuk do të:

  1. a)krijoni llogari të rreme, të dyfishta ose në emër të dikujt tjetër;
  2. b)rezervoni orë pa qëllim për t'u paraqitur, ose bllokoni fusha për t'i penguar të tjerët;
  3. c)shkruani në chat ose në profil përmbajtje fyese, kërcënuese, diskriminuese, të turpshme ose të rreme;
  4. ç)ngacmoni, kërcënoni ose shqetësoni përdorues të tjerë, organizatorë, gjyqtarë ose pronarë fushash;
  5. d)dërgoni mesazhe private të padëshiruara, reklama, spam ose të njëjtin mesazh te shumë përdorues;
  6. dh)u kërkoni përdoruesve të tjerë, e veçanërisht të miturve, të dhëna personale, fotografi ose takime jashtë qëllimit të lojës;
  7. e)bëni raportime të rreme ose përdorni bllokimin dhe raportimin për të dëmtuar një përdorues tjetër;
  8. ë)jepni vlerësime të rreme ose të manipuluara;
  9. f)përdorni të dhënat personale të përdoruesve të tjerë (p.sh. telefonin e organizatorit) për qëllime të tjera nga ndeshja;
  10. g)përpiqeni të mashtroni sistemin (çmime, MatchCoins, pagesa) ose të hyni pa leje në pjesë të Platformës;
  11. gj)përdorni robotë, programe automatike ose metoda që ngarkojnë ose dëmtojnë Platformën;
  12. h)shkelni ligjin ose të drejtat e të tjerëve.

17. Pezullimi dhe mbyllja e llogarisë

17.1

Për shkelje të këtyre Kushteve, MatchGo mund t'ju japë paralajmërim, të bllokojë llogarinë përkohësisht ose ta mbyllë përgjithmonë, në varësi të rëndësisë së shkeljes. Kur është e mundur, ju njoftojmë arsyen.

17.2

Kur një bisedë private ose një mesazh në chat-in e ndeshjes raportohet, administratori shqyrton mesazhet e përcjella me raportimin dhe, nëse vërteton një shkelje, mund të zbatojë ndaj llogarisë përgjegjëse masat e parashikuara në këtë seksion. Vendimi merret gjithmonë nga një person dhe jo në mënyrë automatike.

17.3

Pikët e sjelljes (fjalori i papërshtatshëm). Kur administratori, pasi shqyrton një raportim, vërteton se keni përdorur fjalor fyes, kërcënues, diskriminues ose të turpshëm, ju jep 1 pikë sjelljeje. Pikën e jep gjithmonë një person, jo sistemi, dhe për një raportim jepet më së shumti një pikë. Çdo pikë mbetet aktive 6 muaj dhe pastaj skadon. Kur arrini 3 pikë aktive, llogaria bllokohet automatikisht:

  1. a)herën e parë: 1 javë;
  2. b)herën e dytë (kur keni pasur një bllokim për sjellje në 12 muajt e fundit): 3 muaj;
  3. c)herën e tretë (kur keni pasur dy bllokime për sjellje në 12 muajt e fundit): përgjithmonë.
17.4

Pas çdo bllokimi, pikët që e shkaktuan nuk numërohen më dhe numërimi rifillon nga zero. Një bllokim për sjellje nuk e shkurton kurrë një bllokim më të gjatë që ekziston. Pikët e sjelljes janë të ndara nga mosparaqitjet (seksioni "Anulimi, mosparaqitja dhe bllokimi i llogarisë") dhe nuk mblidhen me to. Merrni njoftim për çdo pikë dhe për bllokimin, dhe pikët aktive i shihni te Profili im. Gjatë bllokimit zbatohen kufizimet e atij seksioni. Nëse mendoni se pika është dhënë gabim, na shkruani në info@matchgo.pro: rasti rishqyrtohet nga një person, i cili mund ta heqë pikën ose bllokimin.

17.5

Nëse mendoni se vendimi është i gabuar, na shkruani dhe rasti rishqyrtohet nga një person.

17.6

Ju mund ta fshini llogarinë në çdo kohë, te Profili im → "Fshi llogarinë" (udhëzimet: matchgo.pro/fshi-llogarine), pasi të keni mbyllur rezervimet, ndeshjet, sfidat dhe porositë e papërfunduara. Pronarët e fushave duhet të na kontaktojnë për mbylljen e llogarisë.

18. Përgjegjësia

18.1

Aktiviteti sportiv ka rreziqe natyrore dëmtimi. Merrni pjesë me përgjegjësinë tuaj dhe duhet të jeni në gjendje fizike të përshtatshme. Për të miturit, përgjegjësia bie mbi prindin ose kujdestarin.

18.2

Pronari i fushës përgjigjet për gjendjen dhe sigurinë e fushës dhe të ambienteve. Organizatori përgjigjet për zhvillimin e ndeshjes që organizon.

18.3

MatchGo përpiqet ta mbajë Platformën të saktë dhe funksionale, por nuk garanton që ajo do të jetë gjithmonë pa ndërprerje ose pa gabime.

18.4

MatchGo nuk mban përgjegjësi për sjelljen e përdoruesve të tjerë, për dëmtimet gjatë lojës, për sendet e humbura në fushë apo për dëme të tërthorta, përveç kur dëmi është shkaktuar me dashje ose nga pakujdesi e rëndë nga ana jonë, ose kur ligji nuk lejon kufizimin e përgjegjësisë.

18.5

Asgjë në këto Kushte nuk kufizon të drejtat që ju jep ligji si konsumator.

19. Pronësia intelektuale

19.1

Emri, logoja, dizajni, tekstet dhe kodi i MatchGo janë pronë e jona ose e licencuesve tanë dhe mbrohen nga ligji. Nuk lejohet kopjimi ose përdorimi i tyre pa leje me shkrim.

19.2

Kur ngarkoni foto ose përmbajtje (p.sh. foto profili, foto fushash), ju mbetet pronësia, por na jepni leje ta shfaqim në Platformë për funksionimin e shërbimit. Ju garantoni se keni të drejtë ta publikoni atë përmbajtje.

20. Rregulla të veçanta për pronarët dhe organizatorët

20.1

Marrëdhënia me pronarët e fushave dhe me organizatorët rregullohet edhe nga marrëveshja e veçantë e partneritetit me MatchGo.

20.2

Pronari vendos çmimin e vet të fushës. Te Rezervo Fushën, klienti paguan këtë çmim plus 500 L tarifë shërbimi të MatchGo. Kur pagesa bëhet cash në fushë, pronari i kalon MatchGo 500 L për çdo rezervim të tillë; kur pagesa bëhet online, MatchGo i kalon pronarit çmimin e tij.

20.3

Te Gjej Ndeshje, organizatori mbledh paratë nga lojtarët që erdhën. Nga kjo shumë zbritet çmimi i fushës; ajo që mbetet ndahet 3/5 për MatchGo dhe 2/5 për organizatorin. Organizatori i jep pronarit çmimin e fushës dhe 3/5, dhe pronari i jep MatchGo-s 3/5. Nëse shuma nuk mjafton as për fushën, pronari merr çmimin e plotë të fushës dhe MatchGo e organizatori nuk marrin asgjë. Organizatori shënon në Platformë lojtarët që nuk erdhën, brenda 24 orëve pas ndeshjes; përndryshe llogariten të gjithë lojtarët e regjistruar. Lojtari i shënuar "nuk erdhi" mund ta kundërshtojë brenda 24 orëve, dhe pronari mund ta kontestojë numrin brenda 24 orëve pas afatit të organizatorit; në këto raste vendos MatchGo, dhe deri në vendim llogariten të gjithë lojtarët e regjistruar. Te Sfida e Javës, gjyqtari mbledh paratë nga dy ekipet, mban tarifën e tij dhe i jep pronarit çmimin e fushës dhe 600 L, dhe pronari i jep MatchGo-s 600 L. Te turnet, pronari merr çmimin e fushës dhe nuk i detyrohet asgjë MatchGo-s.

20.4

Bllokimet që bën vetë pronari (p.sh. rezervimet me telefon) dhe abonimet fikse nuk tarifohen.

20.5

Pronari nuk mund të anulojë rezervimet e klientëve të bëra përmes Platformës; ai shënon vetëm "erdhi" ose "nuk erdhi", dhe shënimi është përfundimtar.

20.6

Pronari dhe organizatori i përdorin të dhënat e klientëve dhe të lojtarëve vetëm për menaxhimin e rezervimeve dhe të ndeshjeve, dhe i mbrojnë sipas ligjit nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale".

21. Ndryshimet e Kushteve

21.1

Mund t'i ndryshojmë këto Kushte kur ndryshojnë shërbimet ose ligji. Për ndryshime të rëndësishme ju njoftojmë në Platformë para se të hyjnë në fuqi dhe, kur duhet, ju kërkojmë t'i pranoni përsëri. Nëse nuk jeni dakord, mund ta fshini llogarinë.

22. Ankesat, ligji i zbatueshëm dhe mosmarrëveshjet

22.1

Këto Kushte rregullohen nga ligji i Republikës së Shqipërisë, përfshirë ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, "Për mbrojtjen e konsumatorëve", i ndryshuar, dhe ligjin nr. 10128, datë 11.5.2009, "Për tregtinë elektronike", i ndryshuar me ligjin nr. 135/2013.

22.2

Për çdo ankesë, na shkruani fillimisht në info@matchgo.pro. Përpiqemi ta zgjidhim çdo mosmarrëveshje me mirëkuptim, brenda 30 ditëve.

22.3

Si konsumator, mund t'i drejtoheni edhe strukturës përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë.

22.4

Nëse mosmarrëveshja nuk zgjidhet me mirëkuptim, ajo shqyrtohet nga gjykata kompetente në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk ju heq të drejtën si konsumator për t'iu drejtuar gjykatës së vendbanimit tuaj.

23. Gjuha

23.1

Këto Kushte janë hartuar në gjuhën shqipe. Versioni anglisht jepet vetëm për informim; në rast mospërputhjeje, mbizotëron versioni shqip.